Sport

Kundërpërgjigjet Luan Krasniqi

Luan Krasniqi ka shpjeguar se me Arslan kishte një miqësi të hershme dhe se edhe 45-vjeçari i kishte qëndruar përkrah gjatë të gjithë karrierës në ndeshje shumë të rëndësishme

Akuzave se pse Luan Krasniqi kishte mbështetur Firat Arslan në duelin kundër Nuri Seferit, duke i dhënë këshilla gjatë duelit të së shtunës, i është kundërpërgjigjur vetë ish-boksieri i njohur me një postim në rrjetet sociale, shkruan albinfo.ch.

 

Ai ka shpjeguar se me Arslan kishte një miqësi të hershme dhe se edhe 45-vjeçari i kishte qëndruar përkrah gjatë të gjithë karrierës në ndeshje shumë të rëndësishme.

 

Ndaj Krasniqi ka kërkuar mirëkuptim nga tifozët e shumtë të cilët e kishin kritikuar për qëndrimin e tij. Kjo ishte edhe një lloj kundërpërgjigje ndaj Nuri Seferit, i cili kishte lëshuar thumbime në adresë të tij nëpërmjet disa postimeve në rrjetet sociale.

 

Postimi i plotë i Luan Krasniqit:

 

Miq të mi, patëm rastin të shohim një meç interesant në mes të Nuri Seferit dhe Firat Arsllan, ku u dëshmua një boks cilësor që i fascinoi publikun e shumtë pranë ringut dhe para ekraneve televizive.

 

Për fat të keq, në media, e sidomos në rrjetet sociale, më shumë dhe në forma të ndryshme u komentua përkrahja ime ndaj shokut tim të ngushtë Firatit, i cili në të gjitha vitet e boksimit tim, më ishte afër, më mbështeti në të gjitha format, në ushtrime, në meçe, në kohën e lirë dhe ai, në këtë mënyrë u bë pjesë e sukseseve të mia.

 

Në veçanti, më dha mbështetje të fuqishme në meçin kundër Samil Sam, boksierit me prejardhje turke, ku ngadhënjeva suksesshëm dhe në qindra raste si ky, për çka Firatit, i jam mirënjohës. Duke e respektuar maksimalisht boksierin e spikatur Nuri Seferin dhe vlerat e tij sportive, në këtë mbrëmje, kam konsideruar se duhet të triumfon më i miri.

 

Fati sportiv deshi që fitues të shpallet Firati dhe, konsideroj se sporti, duhet të shihet si i tillë, me të drejtën e secilit simpatizues që ta mbështes adhuruesin e tij. Do të më gëzonte, padyshim, si shumë herë deri më tash, edhe fitorja e Nuriut, ndaj, keqinterpretimet e qëndrimit tim në meçin e mbrëmshëm, nuk përkojnë me frymën sportive.

 

Që të dy boksierëve u dëshiroj suksese në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm sportiv dhe sportdashësve u uroj çaste të këndshme në të gjitha llojet e sporteve.